Avokati i popullit kundër diskriminimit 

Avokati i popullit kundër diskriminimit është autoritet zyrtar i mëvetësishëm dhe i pavarur, detyrë e të cilit është të avancojë barazinë dhe të ndërhyjë në raste të diskriminimit. Avokati i popullit kundër diskriminimit vepron edhe si raportues kombëtar i Finlandës për trafikimin e njerëzve dhe mbikëqyr implementimin e largimit nga shteti. Në detyrat e avokatit të popullit kundër diskriminimit bëjnë pjesë edhe përcjellja dhe përparimi i pozitës dhe të drejtave të shtetasve të huaj. Fushëveprimi i avokatit të popullit kundër diskriminimit është i gjerë. Detyrat e ndryshme i bashkon mbikëqyrja dhe avancimi i të drejtave themelore dhe të drejtave të njeriut. 

Ndërhyrja në raste të diskriminimit dhe avancimi i barazisë

Detyrë kryesore e Avokatit të popullit kundër diskriminimit është që të avancojë barazinë si dhe të parandalojë dhe të ndërhyjë në raste të diskriminimit. Detyrë e Avokatit të popullit kundër diskriminimit është që të vlerësojë dhe të verifikojë se të drejtat e njeriut realizohen sa më të barabartë që është e mundur. Detyrat dhe kompetencat e Avokatit të popullit kundër diskriminimit janë shënuar në Ligjin mbi barazinë dhe në Ligjin mbi Avokatin e popullit kundër diskriminimit.   

Në praktikë, puna e Avokatit të popullit kundër diskriminimit përfshinë për shembull këshilla, sqarime të rasteve sporadike, avancim të pajtimit mes palësh, trajnime, grumbullim të dhënash si dhe ndikim në legjislaturë dhe në praktikat e autoriteteve zyrtare. Avokati i popullit kundër diskriminimit mundet gjithashtu të çojë ndonjë rast të diskriminimit për ta zgjidhur në komisionin për barazi dhe baraz-vlerë ose në gjykatë. Avokati i popullit punon shumë me grupet e ndërlidhura dhe angazhohet shumë për të ndikuar në avancimin e barazisë dhe parandalimin e diskriminimit si dhe në intervenimin në të.

Mund të drejtohesh te Avokati i popullit kundër diskriminimit nëse ke përjetuar ose ke vërejtur diskriminim në bazë të moshës, origjinës, kombësisë, gjuhës, fesë, besimit, opinionit, veprimtarisë politike, veprimtarisë sindikaliste, lidhjeve familjare, gjendjes shëndetësore, invaliditetit, orientimit seksual ose në ndonjë bazë që lidhet me personalitetin e vet.

Raportues i trafikimit me njerëz

Avokati i popullit kundër diskriminimit vepron si raportues kombëtar i Finlandës për trafikimin me njerëz. Detyrë e raportuesit të trafikimit me njerëz është të inspektojë si organ i mëvetësishëm dhe i pavarur punën që bëhet kundër trafikimit me njerëz në Finlandë. Qëllim i punës së raportuesit është që të identifikohen viktimat e trafikimit me njerëz, atyre t’u ofrohet ndihmë dhe që të drejtat e tyre të realizohen. Avokati i popullit në mes tjerash realizon sqarime rreth trafikimit me njerëz si dhe rreth dukurive lidhur me të. Avokati i popullit mund të japë edhe këshilla juridike dhe në raste të posaçme avokati i popullit ka mundur të asistojë në gjykatë viktimat e trafikimit me njerëz.

Mbikëqyrja e largimit nga shteti

Një ndër detyrat e avokatit të popullit kundër diskriminimit është që si organ zyrtar neutral dhe i pavarur të mbikëqyrë implementimin e largimit nga shteti të shtetasve të huaj që depërtohen dhe që kthehen nga Finlanda.

Thelbi i punës mbikëqyrëse të Avokatit të popullit kundër diskriminimit është të vlerësojë implementimin e kthimeve nga pikëpamja e të drejtave themelore dhe të drejtave të njeriut.

Në praktikë, mbikëqyrja mund të shtrihet mjaft gjerësisht duke përfshirë të gjitha fazat e largimit nga shteti, ose ajo mund të fokusohet në vetëm ndonjërën prej fazave të largimit nga shteti. Në qendër të vëmendjes së mbikëqyrjes janë kthimet, në të cilat policët shoqërojnë personin që duhet kthyer. Mbikëqyrja theksohet në kthimet që kanë të bëjnë me persona në pozitë të brishtë si dhe me vendet sfiduese të kthimit (për shembull Afganistani dhe Iraku), dhe në kthimet në të cilat ekziston rreziku i shtuar i përdorimit të dhunës.

Avokati i popullit kundër diskriminimit nuk ka kompetenca për ndërprerë kthimin, për të ndërhyrë në implementimin e kthimit, në përdorimin e masave të forcës ose në itinerarin e kthimit.

Avancimi i të drejtave të shtetasve të huaj

Në detyrat e Avokatit të popullit kundër diskriminimit bën avancimi i pozitës dhe të drejtave të shtetasve të huaj. Pos kësaj, Avokati i popullit kundër diskriminimit ka në bazë të Ligjit mbi shtetasit e huaj edhe një rol të posaçëm si plotësues i sigurisë ligjore të shtetasve të huaj si edhe në mbikëqyrjen e realizimit të të drejtave të tyre. Avokati i popullit ka të drejtën që mendimi i tij të dëgjohet në raste sporadike përkitazi me azilkërkues ose me dëbimin e shtetasit të huaj. Avokati i popullit gjithashtu ka të drejtë të gjerë për t’u informuar në çështje lidhur me shtetasit e huaj. Avokati i popullit ka qasje në regjistrin personal që u përket shtetasve të huaj (regjistri i shtetasve të huaj), dhe ka të drejtë që të njoftohet me të gjitha vendimet e Drejtorisë së Migracionit dhe të Gjykatave Administrative që merren në bazë të Ligjit mbi shtetasit e huaj.

Diskriminimi

Me diskriminim kemi të bëjmë kur njeriu trajtohet më keq se të tjerët në bazë të ndonjë veçorie personale të tij. Secili njeri ka të drejtë në trajtim të barabartë dhe diskriminimi ndalohet sipas shumë ligjesh tona kombëtare, sipas Ligjit kundër diskriminimit dhe sipas Kodit penal sikur edhe sipas Konventave Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Sipas Ligjit kundër diskriminimit askush nuk guxon të diskriminohet në bazë të moshës, origjinës, kombësisë, gjuhës, fesë, besimit, opinionit, veprimtarisë politike, veprimtarisë sindikaliste, lidhjeve familjare, gjendjes shëndetësore, invaliditetit, orientimit seksual ose në ndonjë bazë që lidhet me personalitetin e vet.  

A më kanë diskriminuar?

Të qenit objekt i diskriminimit është shpesh një përvojë e rëndë dhe me plot emocione. Nëse dyshon që ke përjetuar diskriminim, në Finlandë ka shumë instanca të ndryshme, te të cilat mund të drejtohesh dhe të cilat të ndihmojnë për të vlerësuar gjendjen. Njeriu mund ta ketë të vështirë që ta vlerësojë vet, se a ka qenë në pyetje në atë rast një diskriminim i kundërligjshëm. Avokati i popullit kundër diskriminimit e bën vlerësimin e rastit tënd sidomos nga pikëpamja e Ligjit kundër diskriminimit.

Vlerësimi i diskriminimit fillon nga identifikimi i trajtimit ndryshe. Në identifikimin e trajtimit ndryshe është me rëndësi të shtrohet pyetja: a më kanë trajtuar mua në mënyrë tjetër nga të tjerët? Vet trajtimi i njerëzve në mënyra të ndryshme nuk është i ndaluar. Ai është i ndaluar atëherë, kur shkas për trajtim është ndonjë arsye e ndaluar e diskriminimit që lidhet me personin. Pos kësaj, në atë rast duhet të shfaqen edhe faktorë, të cilët tregojnë se trajtimi ndryshe ka ndodhur pikërisht në bazë të arsyeve të ndaluara. Një faktor i tillë mund të jetë për shembull referimi i nëpunësit të sportelit në origjinën ose në invaliditetin e personit si bazë për një trajtim ndryshe.

Kontaktimi me Avokatin e popullit kundër diskriminimit

Ekspertët e zyrës së Avokatit të popullit kundër diskriminimit vlerësojnë secilin kontaktim të diskriminimit që vjen në zyrën e Avokatit të popullit. Megjithëse personi mund ta ndjejë me arsye se ka qenë objekt i diskriminimit, rasti nuk është patjetër diskriminim i tillë siç parashihet në Ligjin kundër diskriminimit. Në aso raste, Avokati i popullit nuk ka kompetenca për të vlerësuar çështjen. Atëherë është e udhës që ndonjë autoritet tjetër zyrtar të vlerësojë gjendjen. Avokati i popullit kundër diskriminimit nuk ka gjithashtu as kompetence për të vlerësuar rastet sporadike të diskriminimit në vendin e punës.

Avokati i popullit kundër diskriminimit përpiqet që brenda resurseve të veta të ndihmojë sa më mirë që mundet personat që kanë kontaktuar me zyrën e tij. Nëse Avokati i popullit kundër diskriminimit nuk merret vet me rastin tënd, në shërbimin  e klientëve mund të të këshillojnë se ku mund të marrësh ndihmë. Përvoja nga trajtimi i padrejtë nuk është çdo herë diskriminim. Avokati i popullit gjithashtu nuk mund të revokojë vendimet e marra nga autoritetet tjera zyrtare.

Shërbimi i klientëve

Mund të kontaktosh me Avokatin e popullit kundër diskriminimit:

  • Duke plotësuar formularin për kontaktim (në çështjet e diskriminimit)   
  • Duke dërguar postë elektronike [email protected] 
  • Duke thirrur me telefon në kujdestari. Kujdestaria është hapur të marteve, të mërkureve dhe të enjteve në ora 10 – 12; tel: 0295     666 817
  • Duke dërguar një letër
  • Në chat të hënave dhe të mërkurave në ora 13 – 15 si dhe të premteve në ora 10 – 12 (në faqet tona të internetit)
  • Për takim personal duhet të bëhet rezervim i posaçëm çdo herë

Zyra e Avokatit të popullit kundër diskriminimit kryen shërbimet në finlandisht, suedisht dhe në anglisht. Në rast nevoje mund të kontaktosh edhe në gjuhë tjera. Shërbimet e zyrës janë pa pagesë. Personeli i zërës së Avokatit të popullit ka obligimin e konfidencialitetit, pra të mbajtjes së sekretit, për shembull lidhur me gjërat delikate të jetës private.

Në qoftë se çështja jote ka të bëjë me diskriminimin

Mund të kontaktosh me Avokatin e popullit kundër diskriminimit nëse je ballafaquar me diskriminim ose ke vërejtur diskriminim. Avokati i popullit kundër diskriminimit jep këshilla dhe udhëzime si dhe mund të ndihmojë në sqarimin e dyshimit të diskriminimit.

Formulari për kontaktim

Nëse çështja jote ka të bëjë me trafikim njerëzish, me mbikëqyrjen e largimit nga shteti ose me çështje të shtetasve të huaj

Avokati i popullit kundër diskriminimit nuk punon me klientë në cilësinë e mbikëqyrësit të largimit nga shteti ose në cilësinë e raportuesit të trafikimit të njerëzve.

  • Në çështjet lidhur me trafikimin e njerëzve mund të kontaktosh me postë elektronike [email protected] 
  • Të mbijetuarit nga trafikimi i njerëzve kanë të drejtë të marrin ndihmë nga sistemi i ndihmimit të të mbijetuarve nga trafikimi me njerëz: http://www.ihmiskauppa.fi/
  • Të mbijetuarve nga trafikimi me njerëz u ofrojnë ndihmë edhe shumë organizata tjera, sikur për shembull “Rikosuhripäivystys”, “Pakolaisneuvonta”, “Pro-tukipiste” dhe “Monika-Naiset liitto ry”.
  • Në çështjet lidhur me mbikëqyrjen e largimit nga shteti mund të kontaktosh me postë elektronike [email protected]  
  • Në çështjet lidhur me shtetasit e huaj mund të kontaktosh me postë elektronike [email protected] 

Të dhënat për kontakt

Posta elektronike (shërbimi i klientëve dhe shkrimorja): [email protected]

Kontaktimet mediatike / informimi: [email protected]

Punët lidhur me trafikimin me njerëz: [email protected]

Punët lidhur me mbikëqyrjen e largimit nga shteti: [email protected]

Adresat elektronike (E-Mail) të personelit janë në formën: emri.mbiemri(@)oikeus.fi

Numrat telefonikë:

Shërbimi i klientëve: 02956 666 817 (kujdestaria telefonike e martë – e enjte ora 10-12)

Centrali: 02956 666 800

Kontaktimet e mediave / informimi: 02956 666 813 ose 02956 666 806

Telefaks: 02956 666 829

Adresa:

Adresa postare: Yhdenvertaisuusvaltuutetun toimisto PL 24, 00023 Yaltioneuvosto

Adresa rrugore: Ratapihantie 9, Helsinki